Blogu ynë
Si të përfshijmë sërish...
Si të përfshijmë sërish nxënësit në mësim pas pushimeve dimërore: 5 strategji!
Mësuesit i ndiejnë efektet e afrimit të festave të fundvitit që në ditët e para të dhjetorit. Megjithëkëtë, pjesa më e vështirë është periudha e rikthimit në shkollë pas pushimeve, kapërcimi i së cilës kërkon teknika e strategji specifike, pasi është momenti kur nxënësit duhet të përgatiten për provimet e semestrit, teksa janë ende në rrjedhën e pushimit.
Më poshtë po ju japim disa mënyra se si t’i përfshini nxënësit në mësim pas pushimeve të dimrit.
1. Përcaktimi i objektivave.
Shumë nga ne shfrytëzojnë fillimin e vitit të ri si një mundësi për t’i vendosur vetes qëllime të reja. Të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe nxënësit. Kërkojuni të përcaktojnë disa qëllime (realiste), që duan t’i arrijnë deri në mbyllje të vitit shkollor. Në një bllok personal ata mund të rendisin qëllimet dhe përparësitë në të gjitha lëndët, si dhe hapat e duhur që duhet të ndjekin për të arritur qëllimet. Është mjaft e rëndësishme vendosja e një afati kohor, në mënyrë që të mos mbeten pas në planin fillestar. Rekomandohet që mësuesi të organizojë një mbledhje me të gjithë nxënësit, për të parë se sa prej hapave janë kryer e sa qëllime janë arritur. Vlerësimi moral ose me nota pozitive shërben për t’i nxitur drejt fazave të mëtejshme.
2. Teknologjia është mik.
Nuk mund ta mohojmë faktin që nxënësit janë shumë të lidhur me teknologjinë. Për këtë arsye, ajo është shumë e dobishme nëse dimë ta shfrytëzojmë si duhet. Edhe pse kjo këshillë mund të duket kontradiktore, psikologët ngulmojnë se është më mirë që nxënësit të nxiten ta përdorin teknologjinë, jo të pengohen. Me pak fjalë, nëse doni që nxënësit të përqendrohen dhe të kryejnë sa më mirë një detyrë që u është caktuar, përfshijeni teknologjinë në procesin e të mësuarit.
3. Mëso dhe pusho.
Gjatë kohës së pushimeve, nxënësit kanë kaluar mjaft kohë duke u çlodhur, prandaj, për pak kohë, kthimi në rutinën e studimit duhet të përfshijë pushime të vogla apo aktivitete argëtuese, që i ndihmojnë të zbaviten dhe të harxhojnë energji nëpërmjet lëvizjeve. Kërcime, ecje në natyrë ose disa minuta bisedë e lirë mund t’i ndihmojë të përqendrohen më lehtë.
4. Si shkuan pushimet?
Pas një periudhe të gjatë pushimesh, nxënësit duhet të kenë shumë gjëra për të treguar. Në vend që të frenoni vrullin dhe gëzimin e tyre të pasfestave, jepuni pak kohë të lirë, në mënyrë që të ndajnë me ju dhe me nxënësit e tjerë çfarë bënë gjatë pushimeve të dimrit. Duke i lejuar të tregojnë historitë e tyre, ata do të çlirohen nga entuziazmi i pushimeve dhe do ta kthejnë vëmendjen tek ajo që është e rëndësishme: mësimi.
5. Rregullat dhe oraret e reja.
Ashtu si në fillim të vitit shkollor, kur duhen përcaktuar rregullat dhe rutina, edhe tani duhet bërë e njëjta gjë. Shfrytëzoni këtë kohë për të rifreskuar njohuritë dhe për të kontrolluar sa mbajnë mend nxënësit. Po ashtu, kjo është një periudhë e mirë për të bërë një analizë, për të marrë mendimin e nxënësve dhe për të përcaktuar se çfarë duhet përmirësuar.
Rikthimi nga pushimet nuk është i vështirë vetëm për mësuesit, por edhe për nxënësit. Nëse doni që nxënësit të kthehen siç u larguan e të përqendrohen në mësim, pyetini se si po shkojnë gjërat, a kanë marrë dijet dhe notat që prisnin?
Herë pas here mund t’u kujtoni nxënësve qëllimet dhe objektivat që kanë përcaktuar në krye të herës. Kështu, me fare pak përpjekje, do të keni një klasë model!