Blogu ynë
Site: | Libri Digjital - Botime Pegi |
Lënda: | Libri Digjital - Botime Pegi |
Book: | Blogu ynë |
Printuar nga: | |
Data: | Saturday, 14 December 2024, 2:53 PM |
Si të përfshijmë sërish...
Si të përfshijmë sërish nxënësit në mësim pas pushimeve dimërore: 5 strategji!
Mësuesit i ndiejnë efektet e afrimit të festave të fundvitit që në ditët e para të dhjetorit. Megjithëkëtë, pjesa më e vështirë është periudha e rikthimit në shkollë pas pushimeve, kapërcimi i së cilës kërkon teknika e strategji specifike, pasi është momenti kur nxënësit duhet të përgatiten për provimet e semestrit, teksa janë ende në rrjedhën e pushimit.
Më poshtë po ju japim disa mënyra se si t’i përfshini nxënësit në mësim pas pushimeve të dimrit.
1. Përcaktimi i objektivave.
Shumë nga ne shfrytëzojnë fillimin e vitit të ri si një mundësi për t’i vendosur vetes qëllime të reja. Të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe nxënësit. Kërkojuni të përcaktojnë disa qëllime (realiste), që duan t’i arrijnë deri në mbyllje të vitit shkollor. Në një bllok personal ata mund të rendisin qëllimet dhe përparësitë në të gjitha lëndët, si dhe hapat e duhur që duhet të ndjekin për të arritur qëllimet. Është mjaft e rëndësishme vendosja e një afati kohor, në mënyrë që të mos mbeten pas në planin fillestar. Rekomandohet që mësuesi të organizojë një mbledhje me të gjithë nxënësit, për të parë se sa prej hapave janë kryer e sa qëllime janë arritur. Vlerësimi moral ose me nota pozitive shërben për t’i nxitur drejt fazave të mëtejshme.
2. Teknologjia është mik.
Nuk mund ta mohojmë faktin që nxënësit janë shumë të lidhur me teknologjinë. Për këtë arsye, ajo është shumë e dobishme nëse dimë ta shfrytëzojmë si duhet. Edhe pse kjo këshillë mund të duket kontradiktore, psikologët ngulmojnë se është më mirë që nxënësit të nxiten ta përdorin teknologjinë, jo të pengohen. Me pak fjalë, nëse doni që nxënësit të përqendrohen dhe të kryejnë sa më mirë një detyrë që u është caktuar, përfshijeni teknologjinë në procesin e të mësuarit.
3. Mëso dhe pusho.
Gjatë kohës së pushimeve, nxënësit kanë kaluar mjaft kohë duke u çlodhur, prandaj, për pak kohë, kthimi në rutinën e studimit duhet të përfshijë pushime të vogla apo aktivitete argëtuese, që i ndihmojnë të zbaviten dhe të harxhojnë energji nëpërmjet lëvizjeve. Kërcime, ecje në natyrë ose disa minuta bisedë e lirë mund t’i ndihmojë të përqendrohen më lehtë.
4. Si shkuan pushimet?
Pas një periudhe të gjatë pushimesh, nxënësit duhet të kenë shumë gjëra për të treguar. Në vend që të frenoni vrullin dhe gëzimin e tyre të pasfestave, jepuni pak kohë të lirë, në mënyrë që të ndajnë me ju dhe me nxënësit e tjerë çfarë bënë gjatë pushimeve të dimrit. Duke i lejuar të tregojnë historitë e tyre, ata do të çlirohen nga entuziazmi i pushimeve dhe do ta kthejnë vëmendjen tek ajo që është e rëndësishme: mësimi.
5. Rregullat dhe oraret e reja.
Ashtu si në fillim të vitit shkollor, kur duhen përcaktuar rregullat dhe rutina, edhe tani duhet bërë e njëjta gjë. Shfrytëzoni këtë kohë për të rifreskuar njohuritë dhe për të kontrolluar sa mbajnë mend nxënësit. Po ashtu, kjo është një periudhë e mirë për të bërë një analizë, për të marrë mendimin e nxënësve dhe për të përcaktuar se çfarë duhet përmirësuar.
Rikthimi nga pushimet nuk është i vështirë vetëm për mësuesit, por edhe për nxënësit. Nëse doni që nxënësit të kthehen siç u larguan e të përqendrohen në mësim, pyetini se si po shkojnë gjërat, a kanë marrë dijet dhe notat që prisnin?
Herë pas here mund t’u kujtoni nxënësve qëllimet dhe objektivat që kanë përcaktuar në krye të herës. Kështu, me fare pak përpjekje, do të keni një klasë model!16 ide inovatore...
16 ide inovatore për të bërë metodat e mësimdhënies më efektive
Sfida më e madhe e çdo mësuesi është të fitojë vëmendjen e nxënësve dhe t’i prezantojë idetë e tij në atë mënyrë që ato t’i ngelen në mendje fëmijëve edhe pasi ata të largohen nga klasa. Por, që kjo të ndodhë, përvoja e mësimdhënies duhet të karakterizohet nga metoda inovatore që e bëjnë shpjegimin të jetë më efektiv. Po ju paraqesim disa metoda inovatore që ndihmojnë mësuesit të ndryshojnë metodat e mësimdhënies dhe synojnë ta bëjnë atmosferën në klasë më interesante:
Mësimdhënia krijuese
Përdorni mjete të ndryshme për të nxitur krijimtarinë. Zhvilloni lojra argëtuese, ose bëni pyetje që ngacmojnë dhe tërheqin vëmendjen e nxënësve. Kjo është një fazë testuese për të idetifikuar aftësitë e nxënësve më të dalluar. Aspekti krijues duhet shtrirë në të gjitha lëndët si matematikë, shkencë apo edhe histori. Mendoni për mënyrat e nxitjes së imagjinatës. Merrni parasysh të gjitha idetë e nxënësve dhe ofrojuni mundësinë për të vepruar lirisht.
Mjetet audio-vizive
Përdorni materiale audio-vizive në orën tuaj si për shembull: tekste plotësuese, filmime dhe materiale grafike. Përdorni skica dhe ilustrime të ndryshme që të ndikoni në zhvillimin e imagjinatës. Kjo metodë jo vetëm që do të zhvillojë aftësinë e tyre për të dëgjuar, por gjithashtu do të ndikojë që nxënësit t’i kuptojnë më mirë konceptet. Për shembull, gjatë një orë historie ju mund të përfshini gjatë shpjegimit edhe regjistrime nga fjalime publike. Ka një mori aplikacionesh që ju mund t’i përdorni për të krijuar dhe prezantime tërheqëse.
Mësimi i “botës së vërtetë”
Konkretizoni mësimet tuaja duke i lidhur me realitetin. Gërshetimi i leksioneve me përvojën reale e bën mësimdhënien më të pasur dhe më të gjallë duke e përmirësuar procesin e të mësuarit. Paraqitja e një material nëpërmjet situatave reale do ta bëjë (materialin) më të lehtë për t’u mësuar dhe do të ngjallë inetresin e nxënësve.
Stuhi mendimi
Organizoni kohën në klasë në mënyrë që t’i lini hapësirë zhvillimit të metodës “stuhi mendimi”. Kjo metodë do të sjellë një sasi të madhe mendimesh për një çështjeje të vetme. Nxënësit do të ndihen të mirëpritur për të marrë pjesë në diskutim. Kjo faze do të jetë ideale dhe do t’ju mundësojë të dëgjoni mendimin e nxënësve tuaj, të cilët do të shprehen lirshëm pa u menduar nëse përgjigjet e tyre janë saktë apo gabim. Përpara se të filloni të zbatoni këtë metodë, vendosni rregullat tuaja.
Mësimi jashtë ambienteve të shkollës
Disa mësime mësohen më shpejt kur zhvillohen jashtë ambienteve të klasës. Organizoni ekskursione që i përshtaten orës mësimore, ose thjesht bëni një shëtitje me nxënësit jashtë klasës. Për nxënësit kjo do të jetë diçka e re dhe emocionuese që do të ndikojë tek ata të mësojnë më shpejt.
Loja në role
Mësimdhënia nëpërmjet metodës së lojës në role është një mënyrë shumë e mirë për t’i nxjerrë fëmijët nga një zone e njohur për ta, në një zone të re ku mund të zhvillojnë aftësitë e tyre ndërpersonale. Kjo metodë është e dobishme sidomos gjatë orës së letërsisë apo historisë. Loja në role i ndihmon nxënësit të kuptojnë se si lënda që po studiojnë lidhet me detyrat e tyre të përditshme.
Tabela e ngjarjeve kronologjike
Rudyard Kipling është shprehur: “Nëse lënda e historisë do të mësohej në formën e rrëfimeve nuk do të harrohej kurrë”. Tabela e ngjarjeve kronologjike është një metodë shumë e mirë për të shpjeguar çdo temë mësimore që synon të mësuarin hap pas hapi. Mësuesit e historisë mund ta përdorin këtë metodë për të rikrijuar një ngjarje të rëndësishme historike. Tabela e ngjarjeve kronologjike mund të përdoret edhe si një formë komunikimimi mes studentëve të cilët mund të tregojnë histori të ndryshme duke përdorur imagjinatën.
Krijimi i një mjedisi të këndshëm në klasë
Një ambient klase që është i dekoruar mirë, argëtues dhe tërheqës i nxit dhe i ndihmon nxënësit të mendojnë dhe të mësojnë më shumë. Fëmijët, sidomos ata në moshë më të vogël e kanë të vështirë të ulen gjithë ditën dhe të mësojnë. Mjedisi krijues dhe nxitës do t’i ndihmojë ata të mësojnë më shpejt një lëndë. Një mjedis që ndikon pozitivisht tek fëmijët sjell dobi edhe tek mësuesi gjithashtu.
Mirëprisni idetë e reja
Një qëndrim mendjehapur mund t’ju ndihmojë të përtërini metodat e mësimdhënies. Nëse jeni mësuese e re mos ngurroni asnjëherë të pranoni metodat e reja, edhe nëse ato duken disi të çuditshme në fillim.
Mendoni për një hobi të ri tuajin.
Shpesh herë ngarkesa e punës mund të shkaktojë tension i cili mund të ndikojë në ngarkesën tuaj mësimore. Ju mund të bëni një pushim të vogël dhe të merreni me një aktivitet që ju e pëlqeni. Kjo gjë do t’ju shplodhë dhe do t’ju bëjë të ktheheni në punë me më shumë interes dhe pasion.
Punoni së bashku si një skuadër
Siç dihet, rezultati përfundimtar i një pune në grup është gjithnjë më i madh. Shpenzoni më tepër kohë me kolegët dhe ndani me ta përpjekjet dhe përvojat tuaja. Ju do të vini re që disa prej tyre kanë strategji interesante.
Gjëegjëza dhe lojëra
Të mësuarit shndërrohet në një proces argëtues kur gjëegjëzat dhe lojrat janë pjesë e tij. Nxënësit mund të mos ndjejnë se janë duke zhvilluar mësim kur lënda paraqitet tek ata nëpërmjet lojërave. Lojrat dhe enigmat e ndryshme i nxisin nxënësit të mendojnë në mënyrë krijuese dhe të përballen me sfidat.
Krijoni klube shkollore
E keni menduar ndonjëherë që pas mësimit të krijoni një grup ose klub shkollor? Profesioni i mësuesit shpesh merr shumë kohë duke ju penguar për të punuar rreth tematikave që ju dëshironi. Ndërkohë që, nëse bëni pjesë nëpër grupe shkollore, ju mund t’i ndani pikpamjet tuaja dhe njëkohësisht të mësoni më shumë nga kolegët tuaj për çështjet që interesoheni.
Shfrytëzoni literaturën për të nxitur krijimtarinë tuaj.
Shfrytëzoni literaturën për të nxitur krijimtarinë tuaj. Për të qënë një mësuese krijuese ju duhet të bëni disa kërkime rreth ideve dhe teknikave të suksesshme. Ekzistojnë shumë libra të kësaj natyre. Përzgjidhni disa nga punimet më të mira dhe filloni lexojini ato, do t’ju ndihmojë në zhvillimin tuaj profesional.
Duajeni atë që bëni
Ju mund të jepni më të mirën tuaj vetëm nëse e doni atë që bëni. Ju jeni më krijues/e dhe i/e frymëzuar kur nuk jeni i/e stresuar.
Shpjegojeni mësimin si një rrëfenjë
Thjesht mendojeni, pse filmat ndiqen me aq interes? Na pëlqen të shikojmë filmat sepse në subjektin e tyre ka diçka që na mban mbëthyer. Njësoj si në filma, edhe mësimi bëhet më interesant nëse e shpjegoni si histori. Nëse ju jeni krijues, edhe një orë shpjegimi në matematikë mund të shpjegohet në formën e një historie.
Fëmijët me nevoja të veçanta
Fëmijët me nevoja të veçanta
Të punuarit me nxënës me nevoja të veçanta bëhet ndonjëherë e pashmangshme lidhur me punën tuaj në klasë. Ju mund të krijoni një mjedis të përshtatshëm për disa nxënës, ndërkohë që për disa të tjerë mund t’ju duhet të bëni ndryshime apo modifikime të tjera. Plotësimi i kërkesave për nxënësit me nevoja specifike mund të përbëjë një nga sfidat më të mëdha në profesionin tuaj, prandaj ju këshillojmë t’i merrni parasysh këto strategji.
NXËNËSIT ME AFTËSI TË KUFIZUARA
Nxënës me aftësi të kufizuar quhen ata individë të cilët shfaqin mospërputhje të rëndësishme në arritjet akademike dhe aftësitë intelektuale, në një ose disa nga fushat e të shprehurit me gojë, të dëgjuarit, të kuptuarit, të shkruarit, të lexuarit, llogaritjet matematikore ose në shqiptim.
Lista në vijim
përmban disa tregues të përbashkët, që janë pjesë e mësimdhënies së nxënësve me
aftësitë të kufizuara. Këto veçori nuk janë të izoluara zakonisht, por ndonjëherë,
ato shfaqen në shkallë të ndryshme te shumica e kësaj kategorie nxënësish.
Një nxënës me aftësi të kufizuara:
- ka
kujtesë (afatshkurtër dhe afatgjatë) të dobët dëgjimore;
- shfaq
mungesë tolerance dhe nivel të lartë frustrimi;
- ka
vetëvlerësim të ulët;
- shpërqendrohet
lehtësisht;
- e ka
të vështirë, gati të pamundur të realizojë detyrat që kërkojnë kohë;
- ka shprehi
spontane dhe shpesh nuk mund të kontrollojë emocionet;
- kërkon
ndihmë;
- has vështirësi
për të punuar në mjedise me grupe të mëdha apo edhe vogla;
- ka vështirësi
në ndjekjen e udhëzimeve të ndërlikuara ose për memorizimin e tyre për një kohë
të gjatë;
- ka probleme
me koordinimin e grupit të muskujve;
- ka mungesë
rrjedhshmërie në mendime, është e vështirë që të bindet;
- ka aftësi
të pakta për bukurshkrim;
- ka një
konceptim të dobët për kohën.
Mësimdhënia te fëmijët me aftësi të kufizuara do t’ju përballë me disa sfida të veçanta. Këta nxënës, me nevoja të veçanta, jo vetëm që kërkojnë më tepër kohë dhe durim, por kërkojnë gjithashtu edhe strategji të specializuara mësimore në një mjedis të strukturuar, që mbështet dhe rrit potencialin e tyre të të nxënit. Është e rëndësishme të mbani mend se nxënësit me aftësi të kufizuar nuk janë të paaftë për të mësuar, por ata kanë nevojë për instruksione të diferencuara e të përshtatura të aftësive të tyre të veçanta për të mësuar. Ja disa strategji që ju mund t’i përdorni gjatë mësimdhënies te nxënësit me aftësi të kufizuara:
- Siguroni
udhëzimet e nevojshme për nxënësit me aftësi të kufizuara. Prezantoni teste dhe
materiale të lexueshme në një format gojor, kështu vlerësimi nuk do të ndikohet
në mënyrë të padrejtë nga mungesa e aftësisë për të lexuar.
- Bëni
të mundur një kontroll periodik të njohurive për nxënësit me aftësi të
kufizuar. Vini në pah progresin
individual që ata bëjnë.
- Bëni
aktivitete të shkurtra dhe koncize, pasi projektet që zgjasin, krijojnë një
frustrim te fëmijët me nevoja të veçanta.
- Fëmijët
me aftësi të kufizuara hasin vështirësi në mësimin e termave dhe koncepteve
abstrakte. Sapo t’ju jepet mundësia ofrohuni atyre objekte dhe ngjarje konkrete
- sende që mund të prekin, dëgjojnë, nuhasin etj.
- Nxënësit
me aftësi të kufizuara kanë nevojë për lavdërime të dhëna në mënyrë specifike.
Në vend që të thoni “E bëre shumë mirë” ose “Më pëlqen puna jote” sigurohuni që
të jepni komente që lidhen direkt me aktivitetin, për shembull “Më pëlqeu si e
organizove koleksionin e bimëve”.
- Planifikoni
që sa herë të jetë e nevojshme të përsërisni udhëzimet ose të jepni
informacionet, qoftë në formatin verbal qoftë në atë të shkruar. Është e një
rëndësie jetike që fëmijët me aftësi të kufizuara të vënë në përdorim shqisat e
tyre sa më shumë të jetë e mundur.
- Inkurajoni
aktivitetet bashkëpunuese. Ftoni studentët me aftësi të ndryshme për të punuar
së bashku në një projekt të caktuar ose drejt një qëllimi të përbashkët. Krijoni
një atmosferë në të cilën "bashkësia e nxënësve" ndihmon dhe rritet.
Problematikat në shkollë
Problematikat në shkollë
Çfarë është bullizmi(Nëpërkëmbja)?
Bullizmi është një abuzim sistematik i forces. Tek disa fëmijë merr formën e një ngacmimi të përsëritur dhe të nofkave. Për fëmijë të tjerë, bullizmi (nëpërkëmbja) mund të përfundojë në izolim nga shoqëria ose sulm fizik. Bullizmi mund të ndodh edhe online- ky quhet bullizëm (nëpërkëmbje)kibernetik. [1]
Sa dhe si ndikon Bullizmi kjo eshte gjithmonë relative. Një ditë që mund të ketë qënë e keqe për një fëmijë, për një fëmijë tjetër mund te ketë qënë shkatërruese. Duhet thënë që bullizmi vjen në forma më të buta zakonisht (p.sh ngacmim i pakëndshem ndodh më tepër se sa sulmet apo veçimi social) por sido që të jetë bullizmi është i dëmshëm (lëndues). Ky i fundit kur ndodh vazhdimisht mund të shkaktojë edhe dëme të përhershme fizike dhe psikologjike.
Mundësitë që ju ta pikasni dhe ta luftoni një rast bullizmi varen nga:
- Lloji i bullizmit(nëpërkëmbjes) që fëmija është duke përjetuar- p.sh ngacmim verbal apo sulmi fizik
- Nëse nëpërkëmbja bëhet nga një person i vetëm apo nga një grup personash
- Sa ka ndikuar bullizmi tek fëmija juaj.
- Cilat strategji mendoni ju dhe fëmija juaj se janë më efikase.
Pse ndodh bullizmi(nëpërkëmbja)?
Në një farë moshe shumë fëmijë mund të nëpërkëmbin moshatarët e tyre, por bullizmi(nëpërkëmbja) bëhet më e rrallë ma kalimin e moshës. Ka disa faktorë ndikues që mundësojnë bullizmin. Këta faktorë mund të kenë të bëjnë kryesisht me temperamentin sulmues të një fëmije, nivelin e ulët të ndjeshmërisë, paragjykimet e ngulitura për një grup të caktuar njerëzish ose përvojat e këqija familjare të tilla si dhuna fizike ose emocionale.
Situata sociale në të cilën ndodhet një fëmijë është një faktor ndikues gjithashtu. Për shembull, kur fëmijët kalojnë nga shkolla 9-vjeçare në atë të mesme përpiqen të krijojnë pozicionin e tyre në hierarkinë e mjedisit të ri social. Po ashtu edhe fëmijët që mund të kategorizohen si anti-social kanë tendencën të ushtrojnë bullizmin(nëpërkëmbjen) tek të tjerët.
Si të dalloni simptomat e Bullizmit:
Bullizmi tek adoleshentët mund të jetë i vështirë për t’u pikasur, pasi është më pak fizikisht i dukshëm krahasuar me bullizmin tek fëmijët në moshë më të vogël. Fëmija juaj mund të përpiqet ta fsheh këtë dukuri nga ju dhe nga të tjerët pasi mund të ndjehet në siklet, nuk do që t’ju shqetësojë ose t’i japë rëndësi asaj. Fëmijët, zakonisht duan t’i largohen bullizmit thjesht dukemos tërhequr vëmendjen.
Një fëmijë që po përjeton bullizëm mund:
- Të refuzojnë të frekuentojnë shkollën, ose sajojnë justifikime për të mos shkuar
- Janë të shqetësuar dhe të trishtuar para ose pas mësimit
- Thonë “unë e urrej shkollën” ose shprehen të frikësuar ndaj saj
- Bëhen gjithnjë e më shumë të iyoluar ndaj saj
- Kanë shenja të dëmtimeve fizike,p.sh mavijosje ose rroba të grisura
- Kanë performancë të dobët në shkollë
- Kthehet në shtëpi i dëmtuar ose me sende që i mungojnë
- Shfaq ndryshime të dukshmenë sjellje ose emocione
- Ka shqetësime gjatë gjumit
- Ankohet vazhdimisht se ka dhimbje koke,stomaku, ose probleme të tjera fizike
- Ka vetbesim dhe vetvlerësim të ulët.
Bullizmi mund të ndodhë kudo që një fëmijë shkon, jo vetëm në shkollë. Bullizmi si dukuri mund të shfaqet në shtëpi. Në aktivitetet sociale e sportive, dhe në mjediset e punës.
[1] Përdorimi i teknologjisë e komunikimit virtual për të lënduar qëllimisht dikë.
Elasticiteti është aftësia për të përballuar emocionalisht uljet dhe ngritjet e jetës. Formimi i elasticitetit ka përfitime të rëndësishme për jetën. Këto përfitime përfshijnë reduktimin e mundësive për të qenë i nëpërkëmbur ose aftësinë për të përballuar bullizmin (nëpërkëmbjen).
Të gjithë fëmijët mund ta shohin elasticitetin si një mundësi për të luftuar bullizmin, por edhe për të zhvilluar aftësitë jetësore.
Nuk është asnjëherë shumë vonë për të ndërtuar elasticitetin tek fëmija juaj. Sa më shpejt të filloni, aq më mirë. Për këtë mund të sugjerohen disa ide:
- Shprehjani
dashurinë fëmijës suaj. Fokusohuni në aspektet pozitive të fëmijës suaj, por
krijoni një balancë të dashurisë dhe lavdërimeve duke qenë edhe realist.
- Jini
mbështetës. Mund të jetë pak e vështirë teksa fëmija juaj po rritet – të mbështetni një adoleshent
është shumë ndryshe nga mbështetja që mund t’i jepni fëmijës kur është ende i
vogël. Dëgjoni në mënyrë aktive si ndihet fëmija juaj, shqyrtoni së bashku mundësitë
për të kapërcyer problemet dhe sugjeroni perspektiva ndihmuese.
- Jepini
liri fëmijës suaj. Fëmijët që kanë mundësi të takojnë dhe të miqësohen me njerëz
të rinj zhvillojnë shprehitë dhe interesat sociale dhe zgjerojnë rrethin e tyre
shoqëror. Ndërkohë, fëmijët që janë të izoluar, që kanë pak ose aspak miq janë
ata që më së shumti bien pre e bullizmit( nëpërkëmbjes).
- Nxisni
fëmijët tuaj të jenë të sigurt kur është e nevojshme. Mësojini fëmijët që në
moshë të vogël se të trajtimi i të tjerëve me respekt është gjëja e drejtë.
Është e provuar tanimë se nëse një fëmijë trajton dikë me respekt, atëherë ai
do të fillojë të kërkojë të njëjtën gjë edhe për vete nga të tjerët.
Roli juaj
- Ju jeni modeli
kryesor për fëmijët tuaj – në shtëpi me familjen tuaj
dhe në marrëdhëniet që keni me të tjerët.
- Fëmija juaj e shikon nëse ju shfaqni respekt për të tjerët dhe zgjidhni
konfliktet në një mënyrë dobiprurëse. Fëmija juaj mëson se kjo është mënyra
e duhur për të bashkëvepruar me të tjerët. Nëse fëmija juaj ju shikon të
silleni në mënyrë agresive atëherë ai me shumë mundësi do t’ju kopjojë.
- Marrëdhëniet e mira familjare janë shumë të
rëndësishme. Ato i ndihmojnë fëmijët të ndihen të sigurt, me respekt për veten.
Mënyra se si ju silleni me fëmijën tuaj në shtëpi, ndikon në sjelljen nëpërkëmbëse. Një fëmijë
që është i frikësuar nga prindërit ka më shumë gjasa që të nëpërkëmbë të tjerët,
sepse dëshiron që të provojë ndjesinë e kontrollit dhe pushtetit.
Ju mund të ndërtoni marrëdhënie të mira me fëmijën tuaj, duke i qëndruar gjithmonë pranë atij.
- Mënyra se si fëmijët sillen me njëri-tjetrin
është gjithashtu shumë e rëndësishme. Bullizmi që ndodh nëpërmjet kushërinjve është
një dukuri që haset shpesh. Duhet parë që ekziston një lidhje e qartë midis
bullizmit që ndodh në shtëpi mes të afërmve dhe bullizmit që ndodh në shkollë.
Mënyra si ju reagoni ndaj grindjeve që ndodhin midis të afërmve mund të
ndihmojë fëmijën tuaj të bashkëveprojë në mënyrë konstruktive me shokët në
shkollë.
Bashkëpunimi me shkollën e fëmijës suaj
Nëse fëmija juaj ndodhet nën shënjestrën e një sjelljeje nëpërkëmbëse në shkollë, dhe është duke kaluar kohë të vështira, atëherë ju duhet të merrni në konsideratë mundësinë për të bashkëpunuar me stafin e shkollës dhe fëmijën tuaj për të luftuar bullizmin.
Shkollat duhet ta marrin bullizmin (nëpërkëmbjen) shumë seriozisht. Mësuesja e fëmijës suaj duhet të jetë trajnuar për vrojtimin dhe trajtimin e bullizmit. Ju mund të punoni bashkërisht për të parandaluar në të ardhmen bullizmin. Shkolla duhet të japë sugjerime që do të ndryshojnë gjithmonë në varësi të rrethanave.
Kërkoni nga shkolla një kopje të dokumenteve të saj për politikat antibulliste që ajo ndjek. Gjithashtu kërkoni nga institucioni shkollor për mënyrën si politikat e tij do të vihen në zbatim në rastin e fëmijës suaj.
Si të përfshini shkollën
- Diskutoni me fëmijën tuaj për përfitimet e të
folurit në shkollë.
- Pyeteni fëmijën tuaj nëse do të donte të
ishte i pranishëm kur ju të flisni në shkollë. Gjithashtu pyeteni fëmijën nëse
dëshiron që të flasë në mbledhje.
- Caktoni një takim në shkollë ku ju të
përzgjidhni një përfaqësues të këshillit të prindërve.
- Diskutoni problemin me përfaqësuesin e
shkollës, vendoseni atë përpara fakteve që keni.
- Jini kategorik – por
jo të irrituar apo akuzues – dhe jini të gatshëm të
dëgjoni.
- Mbylleni takimin me një plan se si mund të
menaxhoni situatën.
- Qëndroni në kontakt të vazhdueshëm me
shkollën.
Si duhen trajtuar rastet e ndryshme
Të gjitha ndërhyrjet që bëhen nga shkolla duhet të synojnë mbrojtjen e fëmijëve që kanë përjetuar nëpërkëmbje dhe t’i ofrojnë siguri atyre. Veprimtaria specifike e shkollës varet nga lloji i bullizmit që ndodh. Nëse bullizmi është i rëndë dhe shkon deri në shkelje kriminale, ju mund të përfshini policinë.
Çfarë duhet të bëni nëse sjellja nëpërkëmbëse vazhdon:- Është më e
sigurt të bashkëpunoni me shkollën sesa të veproni në mënyrë individuale.
- Informoni
shkollën rreth çdo incidenti nëpërkëmbës. Mbani shënime të detajuara të asaj
çka mund të ndodhë. Shënimet e detajuara mund të përfshijnë: foto të dëmtimeve
fizike të shkaktuara nga sulmet fizike ose foto që dëshmojnë momente të
bisedave në internet, mesazhe telefonike apo rrjete sociale.
- Mbani kontakte të vazhdueshme me mësuesen
kujdestare.
- Flisni me drejtorin e shkollës.
- Kërkoni të organizoni mbledhje me bordin e
shkollës në të cilën të diskutoni për rëndësinë e çështjes.
Ndërsa po kërkoni më tej zgjidhjen e problemit, për sigurinë e fëmijës suaj ju mund të merrni në konsideratë një shkollë tjetër. Kjo do të ishte rrugëzgjidhja e fundit, por përpara se të merrni një vendim përfundimtar kërkoni dhe mendimin e fëmijës suaj.