Printo këtë kapitullPrinto këtë kapitull

Blogu ynë

Fëmijët me nevoja të veçanta

Fëmijët me nevoja të veçanta

Të punuarit me nxënës me nevoja të veçanta bëhet ndonjëherë e pashmangshme lidhur me punën tuaj në klasë. Ju mund të krijoni një mjedis të përshtatshëm për disa nxënës, ndërkohë që për disa të tjerë mund t’ju duhet të bëni ndryshime apo modifikime të tjera. Plotësimi i kërkesave për nxënësit me nevoja specifike mund të përbëjë një nga sfidat më të mëdha në profesionin tuaj, prandaj ju këshillojmë t’i merrni parasysh këto strategji.

NXËNËSIT ME AFTËSI TË KUFIZUARA

Nxënës me aftësi të kufizuar quhen ata individë të cilët shfaqin mospërputhje të rëndësishme në arritjet akademike dhe aftësitë intelektuale, në një ose disa nga fushat e të shprehurit me gojë, të dëgjuarit, të kuptuarit, të shkruarit, të lexuarit, llogaritjet matematikore ose në shqiptim.

Lista në vijim përmban disa tregues të përbashkët, që janë pjesë e mësimdhënies së nxënësve me aftësitë të kufizuara. Këto veçori nuk janë të izoluara zakonisht, por ndonjëherë, ato shfaqen në shkallë të ndryshme te shumica e kësaj kategorie nxënësish.

Një nxënës me aftësi të kufizuara:

  • ka kujtesë (afatshkurtër dhe afatgjatë) të dobët dëgjimore;
  • shfaq mungesë tolerance dhe nivel të lartë frustrimi;
  • ka vetëvlerësim të ulët;
  • shpërqendrohet lehtësisht;
  • e ka të vështirë, gati të pamundur të realizojë detyrat që kërkojnë kohë;
  • ka shprehi spontane dhe shpesh nuk mund të kontrollojë emocionet;
  • kërkon ndihmë;
  • has vështirësi për të punuar në mjedise me grupe të mëdha apo edhe vogla;
  • ka vështirësi në ndjekjen e udhëzimeve të ndërlikuara ose për memorizimin e tyre për një kohë të gjatë;
  • ka probleme me koordinimin e grupit të muskujve;
  • ka mungesë rrjedhshmërie në mendime, është e vështirë që të bindet;
  • ka aftësi të pakta për bukurshkrim;
  • ka një konceptim të dobët për kohën.

Mësimdhënia te fëmijët me aftësi të kufizuara do t’ju përballë me disa sfida të veçanta. Këta nxënës, me nevoja të veçanta, jo vetëm që kërkojnë më tepër kohë dhe durim, por kërkojnë gjithashtu edhe strategji të specializuara mësimore në një mjedis të strukturuar, që mbështet dhe rrit potencialin e tyre të të nxënit. Është e rëndësishme të mbani mend se nxënësit me aftësi të kufizuar nuk janë të paaftë për të mësuar, por ata kanë nevojë për instruksione të diferencuara e të përshtatura të aftësive të tyre të veçanta për të mësuar. Ja disa strategji që ju mund t’i përdorni gjatë mësimdhënies te nxënësit me aftësi të kufizuara:

  1. Siguroni udhëzimet e nevojshme për nxënësit me aftësi të kufizuara. Prezantoni teste dhe materiale të lexueshme në një format gojor, kështu vlerësimi nuk do të ndikohet në mënyrë të padrejtë nga mungesa e aftësisë për të lexuar.
  2. Bëni të mundur një kontroll periodik të njohurive për nxënësit me aftësi të kufizuar.  Vini në pah progresin individual që ata bëjnë.
  3. Bëni aktivitete të shkurtra dhe koncize, pasi projektet që zgjasin, krijojnë një frustrim te fëmijët me nevoja të veçanta.
  4. Fëmijët me aftësi të kufizuara hasin vështirësi në mësimin e termave dhe koncepteve abstrakte. Sapo t’ju jepet mundësia ofrohuni atyre objekte dhe ngjarje konkrete - sende që mund të prekin, dëgjojnë, nuhasin etj.
  5. Nxënësit me aftësi të kufizuara kanë nevojë për lavdërime të dhëna në mënyrë specifike. Në vend që të thoni “E bëre shumë mirë” ose “Më pëlqen puna jote” sigurohuni që të jepni komente që lidhen direkt me aktivitetin, për shembull “Më pëlqeu si e organizove koleksionin e bimëve”.
  6. Planifikoni që sa herë të jetë e nevojshme të përsërisni udhëzimet ose të jepni informacionet, qoftë në formatin verbal qoftë në atë të shkruar. Është e një rëndësie jetike që fëmijët me aftësi të kufizuara të vënë në përdorim shqisat e tyre sa më shumë të jetë e mundur.
  7. Inkurajoni aktivitetet bashkëpunuese. Ftoni studentët me aftësi të ndryshme për të punuar së bashku në një projekt të caktuar ose drejt një qëllimi të përbashkët. Krijoni një atmosferë në të cilën "bashkësia e nxënësve" ndihmon dhe rritet.